Thirrje për Votë Unanimiteti: Projektligji “Për Barazinë Gjinore” në Kuvend

Nesër Shqipëria ndodhet përballë një momenti historik!
Kuvendi i Shqipërisë pritet të votojë ditën e nesërme projektligjin “Për Barazinë Gjinore” (2025), një instrument që forcon zbatimin e parimit të mosdiskriminimit dhe përmbush detyrimet kushtetuese dhe ndërkombëtare të vendit për garantimin e barazisë reale gjinore për të gjithë gratë dhe burrat në Shqipëri.

Projektligji “Për Barazinë Gjinore” sjell një sërë përmirësimesh thelbësore ligjore, që synojnë arritjen e barazisë reale dhe jo vetëm formale në shoqërinë tonë, duke krijuar mekanizma konkrete zbatimi, monitorimi dhe llogaridhënieje.

Projektligji “Për Barazinë Gjinore”:
- Pritet të zëvendësojë ligjin ekzistues të vitit 2008 dhe përfshin koncepte më të avancuara të barazisë gjinore dhe mbrojtjes nga diskriminimi;
- Forcon mbrojtjen për gratë dhe burrat në vendin e punës, në sektorin publik dhe privat;
- Krijon një sistem të qartë koordinimi ndërinstitucional për garantimin dhe mbikëqyrijen e objektivave të barazisë gjinore;
- Fuqizon mekanizmat e monitorimit dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet;
- Parashikon sanksione më të forta për moszbatim dhe diskriminim të përsëritur me bazë gjinore;
- Njeh dhe vlerëson punën e papaguar të kujdesit;
-Promovon ndarjen më të drejtë të përgjegjësive familjare dhe barazinë në përfaqësim politik e institucional;
-Forcon edukimin për barazinë gjinore dhe buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në të gjitha nivelet e administratës publike.

Ky projektligj forcon respektin, dinjitetin dhe drejtësinë ndaj të drejtave themelore të njeriut, si vlera themelore demokratike, të pandashme, të patjetërsueshme dhe universale për çdo qytetar dhe qytetare.

Nesër është dita që deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të tregojnë se Shqipëria është një vend i rrënjosur në vlerat kushtetuese, demokratike dhe evropiane.

U bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të votojnë në unanimitet miratimin e këtij projektligji, duke lënë pas fushatat e dezinformimit dhe duke qetësuar shoqërinë përmes votës për të vërtetën, transparencën dhe dinjitetin njerëzor.
Barazia gjinore është një detyrim kushtetues, një standard europian dhe një vlerë kombëtare që duhet të nxisë përgjegjësinë e të gjithëve pa asnjë kompromis!

GADC
Research and Papers

Follow the link to read research and paper publications through the years.

GADC
Reports and Articles

Follow the link to read reports and articles through the years.

Donors

Full list