Trajnim mbi Pagën e Jetesës dhe të Drejtat në Punë në Durres

Më datë 26 mars 2025, në ambientet e Bes-Fit në Shkozet, Durrës, u zhvillua një trajnim me pjesëmarrjen e 15 grave të punësuara në një fasoneri që prodhon veshje sportive. Trajnimi kishte në fokus të drejtat në punë, me theks të veçantë te koncepti i pagës së jetesës si një e drejtë thelbësore për një jetë me dinjitet.

Ndër temat e trajtuara ishin:

  • Kuptimi dhe karakteristikat kryesore të pagës së jetesës
  • Dallimi ndërmjet pagës minimale dhe asaj të jetesës
  • Pse paga e jetesës është një standard me përmasa globale
  • Si përcaktohet çmimi i markave ndërkombëtare dhe sa përfitojnë punëtorët
  • Deklarata e GADC për Pagën e Jetesës dhe fushatat e ndërgjegjësimit për këtë çështje
  • Pozicioni i Shqipërisë në lidhje me pagat minimale dhe kostot e jetesës

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrëset ndanë shqetësime konkrete nga përvoja e tyre në punë. Disa prej tyre rrëfyen se, në fasoneritë e mëparshme, u ishte komunikuar se sigurimet shoqërore ishin paguar, ndërkohë që më pas kishin zbuluar të kundërtën, gjë që ndikonte në vjetërsinë e tyre të punës dhe të drejtën për pension.

U theksua mungesa e vetëdijes apo dëshirës për të kërkuar të drejtat, sidomos nga punonjëset e reja, të cilat shpesh bien dakord të mos u paguhen sigurimet për shkak të presionit apo bindjes se pensioni është shumë i largët.

Një pjesëmarrëse tregoi se ishte pushuar nga puna pasi kishte marrë leje shëndetësore për fëmijën e saj – një leje e lëshuar zyrtarisht përmes portalit e-Albania. Ajo u shpreh se nuk kishte ditur ku të drejtohej për të kërkuar ndihmë apo për të denoncuar rastin.

Gjithashtu, u përmend vështirësia ekonomike me të cilën përballen shumë gra: paga nuk mbulon as shpenzimet bazë për ushqim apo transport, ndërkohë që një pjesë e madhe e saj shkon për pagesën e qirasë.

Në sallë ndodheshin edhe fëmijët e dy prej grave, të cilët ishin sjellë në ambientet e punës për mungesë të alternativave për kujdesin ndaj fëmijës.

U ngrit edhe çështja e pabarazisë në pagesë për punonjëset e reja, të cilat – ndonëse punojnë po aq ose më shumë – paguhen më pak, me arsyetimin se punonjëset me më shumë vite eksperiencë “e meritojnë më shumë”.

Sipas përgjegjëses së fasonerisë, numri i punonjëseve është reduktuar si pasojë e krizës ekonomike dhe mungesës së porosive nga porositësit ndërkombëtarë.

Ky trajnim ofroi jo vetëm informacion të vlefshëm mbi pagën e jetesës, por edhe një hapësirë reale për gratë që të ndanin përvojat e tyre dhe të theksonin nevojën urgjente për kushte më të drejta pune dhe paga të mjaftueshme për një jetë dinjitoze.

Aktiviteti u organizua ne kuader te projektit:  Përmirësimi i Kushteve të Punës në Industrinë e Tekstilit dhe Këpucëve në Evropën Juglindore – Vazhdueshmëria. 
Donatori: Bread for Life
Organizata udhëheqëse: Center for the Politics of Emancipation, Serbi
Organizatat zbatuese: Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (Shqipëri) dhe ZORA (Bosnje dhe Hercegovinë)

GADC
Research and Papers

Follow the link to read research and paper publications through the years.

GADC
Reports and Articles

Follow the link to read reports and articles through the years.

Donors

Full list