Trajnim mbi Pagën e Jetesës dhe të Drejtat në Punë në Bathore

Më datë 11 mars 2025, në zonën e Bathores në Tiranë, u organizua një trajnim me fokus të veçantë te koncepti i pagës së jetesës dhe të drejtat në vendin e punës. Në aktivitet morën pjesë 19 gra dhe vajza nga komuniteti lokal, shumica prej tyre me përvoja në punë sezonale, të përkohshme apo me kontrata të pasigurta.

Në trajnim u prezantua koncepti i pagës së jetesës si një standard ekonomik dhe social që garanton një jetë të dinjitetshme për punëtorët. U diskutua se, ndryshe nga paga minimale, paga e jetesës duhet të mbulojë jo vetëm nevojat bazë si ushqimi dhe strehimi, por edhe aksesin në shërbime shëndetësore, edukim, transport dhe një mundësi për të kursyer minimalisht.

Pjesëmarrëset u angazhuan në diskutime mbi raportin ndërmjet kostove reale të jetesës në zonën e Tiranës dhe pagave që ofrohen në punët me intensitet të lartë fizik, si në sektorin fason, në pastrim, kujdes ndaj të moshuarve apo punë të tjera informale. Ato vunë në dukje se edhe pse pagat kanë njohur rritje të pjesshme, inflacioni dhe çmimet e shportës bazë i kanë bërë këto të ardhura të pamjaftueshme.

Një pjesë e pjesëmarrëseve theksuan se, për gratë që janë nëna beqare ose që mbajnë barrën kryesore ekonomike të familjes, mungesa e një page të mjaftueshme për jetesë ndikon drejtpërdrejt në sigurinë ekonomike të fëmijëve dhe të ardhmen e tyre.

U diskutua gjithashtu mungesa e transparencës në kontratat e punës dhe nevoja për të kuptuar të drejtat ligjore të punëtorëve. Disa nga gratë ndanë përvoja personale ku ishin paguar më pak se kolegët meshkuj, ose ku u ishte mohuar leja vjetore apo kompensimi për orët shtesë të punës.

Trajnimi solli gjithashtu në vëmendje Deklaratën për Pagën e Jetesës të hartuar nga GADC dhe fushatën e ndërgjegjësimit që e shoqëron. Gratë pjesëmarrëse u shprehën se kjo nismë i ndihmoi të shohin pagën jo si një kompromis të domosdoshëm, por si një të drejtë që duhet të garantohet nga punëdhënësit dhe të kërkohet në mënyrë kolektive.

Në përmbyllje, pjesëmarrëset vlerësuan atmosferën e hapur të diskutimit dhe shprehën interes për trajnime të mëtejshme që u japin mundësi të kuptojnë më mirë të drejtat e tyre dhe të ndërtojnë kërkesa të përbashkëta për kushte pune më të drejta dhe paga të dinjitetshme.

Aktiviteti u organizua ne kuader te projektit:  Përmirësimi i Kushteve të Punës në Industrinë e Tekstilit dhe Këpucëve në Evropën Juglindore – Vazhdueshmëria. 
Donatori: Bread for Life
Organizata udhëheqëse: Center for the Politics of Emancipation, Serbi
Organizatat zbatuese: Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (Shqipëri) dhe ZORA (Bosnje dhe Hercegovinë)

GADC
Research and Papers

Follow the link to read research and paper publications through the years.

GADC
Reports and Articles

Follow the link to read reports and articles through the years.

Donors

Full list