GADC zhvillon takim me gra punëtore migrante në Shkodër për të drejtat në punë dhe mbrojtjen e tyre

Më 12 maj 2026, Gender Alliance for Development Center (GADC) organizoi në Shkodër një takim informues dhe konsultues me shtatë gra punëtore migrante të punësuara në sektorin fason.

Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur dhe të sigurt, duke u ofruar pjesëmarrëseve mundësinë të ndajnë përvojat dhe sfidat e tyre në vendin e punës. Diskutimet u përqendruan te kushtet e punës, kontratat e punësimit, pagat, siguria dhe shëndeti në punë, mbrojtja sociale, si edhe vështirësitë që gratë migrante hasin në aksesin në informacion dhe ushtrimin e të drejtave të tyre.

Gjatë takimit, pjesëmarrëset u njohën edhe me mekanizmat ekzistues për raportimin e shkeljeve të të drejtave të punës, përfshirë Inspektoriatin Shtetëror të Punës, Shërbimin e Ndihmës Juridike Falas (FLAS), si edhe numrin jeshil pa pagesë të GADC-së (0800 18 18), përmes të cilit punëtoret mund të kërkojnë informacion dhe mbështetje konfidenciale.

Takimi evidentoi nevojën për informim të vazhdueshëm dhe të aksesueshëm për gratë punëtore migrante, të cilat shpesh përballen me barriera shtesë për shkak të gjuhës, mungesës së njohurive mbi legjislacionin shqiptar dhe informacionit të kufizuar mbi shërbimet dhe mekanizmat mbështetës.

Në kuadër të këtij aktiviteti, GADC mbështeti gjithashtu vizitën në Shqipëri të një grupi gazetarësh investigativë nga televizioni publik gjerman ARD, të cilët po realizojnë një dokumentar mbi kushtet e punës, zinxhirët e furnizimit dhe format e shfrytëzimit në industrinë e veshjeve. GADC lehtësoi takimet e gazetarëve me gratë punëtore migrante dhe ofroi informacion mbi situatën e sektorit në Shqipëri, duke siguruar që zëri dhe përvojat e grave të pasqyroheshin në mënyrë të saktë dhe me respekt.

Përmes këtij bashkëpunimi, gratë punëtore migrante patën mundësinë të ndajnë drejtpërdrejt historitë e tyre dhe të sjellin në vëmendjen e publikut ndërkombëtar sfidat me të cilat përballen çdo ditë. Dokumentari synon të nxisë një debat më të gjerë mbi të drejtat e punës, përgjegjësinë e kompanive përgjatë zinxhirëve globalë të furnizimit dhe nevojën për mbrojtje më efektive të punëtorëve.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të GADC për promovimin e të drejtave të grave në punë, fuqizimin e grave punëtore dhe përmirësimin e aksesit të tyre në informacion, drejtësi dhe mekanizmat institucionalë të mbrojtjes.

GADC
Research and Papers

Follow the link to read research and paper publications through the years.

GADC
Reports and Articles

Follow the link to read reports and articles through the years.

Donors

Full list