Activities
Takim me Gratë Punonjëse Urban Lab, Fier
Më 16 dhjetor 2025, Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC) organizoi një takim informues në fabrikën e sektorit fason “Urban Lab” në Fier, me pjesëmarrjen e 15 grave punonjëse, me qëllim diskutimin e të drejtave në vendin e punës dhe forcimin e bashkëpunimit mes tyre.
Gjatë takimit u trajtuan tema të rëndësishme si kontratat e punës, pagesa e drejtë dhe paga dinjitoze, mbrojtja e grave shtatzëna, pushimet vjetore dhe raportimi i shkeljeve përmes numrit të gjelbër falas 0800 18 18. Vëmendje e veçantë iu kushtua çështjeve të shëndetit dhe sigurisë në punë, përfshirë kushtet në ambientet e fabrikës, rreziqet profesionale dhe rëndësinë e respektimit të standardeve të sigurisë dhe shëndetit në punë.
Takimi u zhvillua në formë interaktive, ku gratë ndanë përvoja personale dhe problematika konkrete nga vendet e tyre të punës, duke kontribuar në një diskutim të hapur dhe konstruktiv. Pjesëmarrëset treguan interes dhe angazhim të lartë, duke theksuar nevojën për informim të vazhdueshëm dhe mbështetje të ndërsjellë.
Një element kyç i takimit ishte nxitja e solidaritetit dhe organizimit kolektiv mes grave punonjëse, si një mjet i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave dhe përmirësimin e kushteve të punës në sektorin fason. Aktiviteti dëshmoi edhe një herë se informimi, besimi dhe angazhimi i grave janë thelbësore për forcimin e zërit të tyre dhe avancimin e të drejtave në tregun e punës.
GADC
Research and Papers






