Activities
Shkolla Dimërore: Shoqëria Civile për Ndikim Politik nga Olof Palmes Internationella Center
Në datat 24–26 tetor 2025, në Bogë, u zhvillua Shkolla Dimërore “Shoqëria Civile në Veprim: Fuqizimi për Ndikim Politik”, organizuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) me mbështetjen e Olof Palmes Internationella Center.
Pjesëmarrës nga organizatat e rrjetit POP - Perballja e Ofertave Politike dhe Koalicionit Shqiptar për të Drejtat në Punë u bashkuan për të forcuar kapacitetet e tyre në avokim, lobim dhe pjesëmarrje efektive në proceset vendimmarrëse.
Atmosfera e Bogës u bë hapësira ideale për reflektim, bashkëpunim dhe ndërtim besimi ndërmjet organizatave që ndajnë të njëjtin mision: forcimin e demokracisë përmes pjesëmarrjes qytetare. Diskutimet për fushata suksesi si “Vjosa” sollën frymëzim dhe vetëbesim se avokatia strategjike, kur bazohet në bashkëpunim dhe këmbëngulje, sjell ndryshim real.
Gjatë tre ditëve të punës intensive, pjesëmarrësit analizuan rolin e shoqërisë civile në proceset politike dhe integrimin europian, ndërtuan fushata avokimi e lobimi, zhvilluan aftësi në komunikim strategjik dhe media digjitale, si dhe diskutuan mbi mbikëqyrjen parlamentare dhe ndikimin në politikat publike.
Shkolla Dimërore 2025 përforcoi bashkëpunimin ndërmjet organizatave dhe hapi rrugë për nisma të reja të përbashkëta për përfaqësim dhe ndikim më të fortë politik e shoqëror, me fokus në forcimin e demokracisë vendore, mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve dhe promovimin e drejtësisë sociale.
Në thelb, kjo nismë rikujton se demokracia kërkon dije, bashkëpunim dhe përgjegjësi të përbashkët.
GADC
Research and Papers






