Activities
Shtatori – Muaji i Fushatës për të Drejtat e Grave Punëtore në Sektorin e Veshjeve!
Gjatë gjithë muajit shtator, Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC) ka zhvilluar një sërë aktivitetesh në terren për të informuar dhe fuqizuar gratë punonjëse të sektorit fason në Shqipëri. Nga fushatat ndërgjegjësuese për pagën e jetesës e deri tek takimet me punonjëset në vetë vendet e tyre të punës, qëllimi ynë ka qenë i qartë: të mbështesim gratë për të njohur, kërkuar dhe ushtruar të drejtat e tyre në punë.
Në kuadër të kësaj nisme, më 23 shtator, GADC zhvilloi dy takime informuese në Tiranë – me 12 punonjëse të fabrikës Symbol dhe 17 punonjëse të fabrikës AFM. Aktivitetet u realizuan në kuadër të projektit “Përmirësimi i të Drejtave të Punës dhe Mbrojtjes së Grave, me fokus të veçantë tek gratë punonjëse në sektorin e veshjeve”, i mbështetur nga Qeveria Suedeze Embassy of Sweden in Tirana përmes Olof Palmes Internationella Center
Qëllimi i këtyre takimeve ishte t’i informonin punonjëset mbi ligjin, të drejtat në punë dhe mundësitë për përmirësimin e kushteve të punës. Diskutimet përfshinë një gamë të gjerë temash që varionin nga kontratat e punës dhe respektimi i tyre, tek mbrojtja e grave shtatzëna dhe të drejtave ligjore; nga pagat, pushimet dhe lejet, tek shëndeti e siguria në vendin e punës, incidentet dhe sëmundjet profesionale. Një pjesë e bisedës u përqendrua edhe tek paga e jetesës, e cila u theksua si një standard i domosdoshëm për të garantuar një jetë të denjë për punonjëset dhe familjet e tyre.
Një theks i veçantë iu kushtua numrit falas të gjelbër 0800 1818, i cili u prezantua si mekanizmi kryesor për të raportuar shkeljet në punë, për të marrë informacion dhe për të kërkuar mbështetje pa asnjë kosto. Përdorimi i këtij numri u nënvizua si një instrument praktik për fuqizimin e punonjëseve dhe për rritjen e aksesit në të drejtat e tyre.
Gratë pjesëmarrëse ndanë përvoja personale dhe theksuan rëndësinë e organizimit dhe mbështetjes reciproke, duke shprehur bindjen se përmes solidaritetit dhe mekanizmave si 0800 1818, zëri i tyre do të dëgjohet më shumë dhe realiteti i sektorit fason mund të përmirësohet.
GADC
Research and Papers






