Activities
Reagim publik: Mbi projektligjin “Për Barazinë Gjinore” dhe përdorimin e termit “gjini”
Reagim publik
Mbi projektligjin “Për Barazinë Gjinore” dhe përdorimin e termit “gjini”
Ne përfaqësues të organizave në mbrojtje të të drejtave të njeriut po ndjekim me vëmendje diskutimet e ditëve të fundit mbi projektligjin e ri për Barazinë Gjinore, dhe në veçanti debatin mbi përdorimin e termit “gjini” në vend të formulimit klasik “burrë–grua”.
Dhe dëshirojmë të theksojmë se ky ndryshim është:
1. Një hap i domosdoshëm drejt standardeve moderne evropiane
Përdorimi i termit “gjini” është i përafruar me acquis të Bashkimit Evropian, me Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW) dhe me Konventën e Stambollit, duke garantuar që Shqipëria ecën krah për krah me vendet më progresive evropiane. Vendet që kanë përfshirë termin “gjini” nuk kanë humbur asgjë nga kohezioni i tyre social – përkundrazi, kanë fituar një shoqëri më gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe demokratike.
2. Një garanci për mbrojtjen e dinjitetit njerëzor
Koncepti “gjini” nuk mohon ekzistencën e burrit dhe gruas. Ai i përfshin ata, por në të njëjtën kohë zgjeron mbrojtjen ligjore për individët që diskriminohen për shkak të identitetit gjinor, shprehjes gjinore apo karakteristikave të seksit. Në këtë mënyrë, çdo qytetar/e gëzon mbrojtje të barabartë dhe efektive nga ligji.
3. Një instrument kundër diskriminimit dhe stereotipeve
Patriarkalizmi dhe përdorimi i ngurtë i ndarjes “burrë–grua” kanë ndihmuar historikisht në ruajtjen e pabarazive dhe kufizimin e rolit të grave në shoqëri. Përdorimi i termit “gjini” i hap rrugë politikave më gjithëpërfshirëse, statistikave më të sakta dhe një gjuhe që shmang stereotipet diskriminuese.
4. Një shenjë e qartë e orientimit europian të Shqipërisë
Me këtë hap, Shqipëria tregon se dëshiron të jetë më pranë vendeve moderne evropiane, që kanë ndërtuar legjislacion gjithëpërfshirës për barazinë gjinore, dhe jo pjesë e atyre vendeve patriarkale ku pabarazitë gjinore vazhdojnë të mbahen të justifikuara përmes ndarjeve të ngushta dhe diskriminuese.
Ne, mbështesim fuqimisht projektligjin e ri “Për Barazinë Gjinore” dhe e konsiderojmë përdorimin e termit “gjini” si një hap përpara për demokracinë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe përpjekjet e Shqipërisë drejt integrimit evropian.
Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC)
Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
Aleanca LGBT – Aleanca Kundër Diskriminimit LGBT
Linja e Këshillimit për Gra e Vajza
Qendra Psikosociale “Vatra”
Shoqata “BashArt”
CRCA-ECPAT Shqiperi
Ambasada PINK
Qendra "Strehëza Edlira Haxhiymeri"
YWCA Albania
Nisma per Ndryshim Shoqeror ARSIS
Qendra Komunitare sot per Te Ardhmen
Agritra Vision
Shoqata Jona, Sarandë
Qendra për Drejtësi Sociale
Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA)
GADC
Research and Papers






