Events
Takim me gratë punonjëse në sektorin fason- 12 Mars 2025
Më 12 mars, Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” organizoi një takim informues në fabrikën fason “Remal” në Tiranë, duke mbledhur bashkë gratë punonjëse për të diskutuar mbi të drejtat e tyre në vendin e punës dhe mundësitë e bashkëpunimit për përmirësimin e kushteve të punës.
Gjatë takimit u trajtuan tema kyçe si kontratat e punës, mbrojtja e grave shtatzëna, pagesa e drejtë, pushimet e rregulluara me ligj dhe mënyrat për të raportuar shkeljet përmes numrit të gjelbër falas 0800 1818. Një fokus i veçantë iu kushtua shëndetit dhe sigurisë në punë, duke u ndalur te incidentet në vendin e punës, sëmundjet profesionale dhe përmbushja e standardeve të sigurisë në fabrikat fason.
Gratë pjesëmarrëse, të cilat kishin ndjekur trajnime të mëparshme, treguan një nivel të lartë ndërgjegjësimi dhe angazhimi. Ato ndanë përvoja personale, çka e ktheu diskutimin në një forum të hapur dhe konstruktiv.
Një element thelbësor i takimit ishte nxitja e rrjetëzimit dhe mbështetjes reciproke mes grave punonjëse, duke theksuar rëndësinë e organizimit kolektiv për të ndikuar në mënyrë pozitive në kushtet e punës dhe në mbrojtjen e të drejtave të tyre. U diskutua gjithashtu edhe për pagën e jetesës dhe sfidat që lidhen me kushtet aktuale të punës në sektorin fason dhe mundësitë e organizimit në një rrjet më të gjërë të grave punonjëse në sektorin fason.
Në aktivitet morën pjesë 14 gra punonjëse, të cilat kontribuuan aktivisht në diskutim dhe reflektuan për nevojën e bashkëpunimit të vazhdueshëm për të sjellë ndryshim konkret në realitetin e tyre të përditshëm.
GADC
Research and Papers






