Activities
Deklaratë nga Task Forca për Dhunën ndaj Grave në Politikë
Deklaratë mbi anashkalimin dhe mungesën e aksesit mediatik, si një barrierë e grave në politikë
Task Forca për Dhunën ndaj Grave në Politikë dënon përjashtimin sistematik dhe trajtimin e njëanshëm mediatik të kandidateve gra, në prag të zgjedhjeve të 11 majit 2025.
Institucionet mediatike mbajnë përgjegjësi për të siguruar akses të barabartë dhe të drejtë për të gjithë kandidatët. Megjithatë, jemi dëshmitarë të dy formave kryesore të anshmërisë mediatike, të cilat minojnë kandidaturën dhe të drejtën demokratike të grave për të garuar në kushte të barabarta:
1. Anashkalimi mediatik – Gratë, përfshirë në këto zgjedhje znj. Elena Kocaqi, e vetmja kryetare grua e një partie politike, janë përjashtuar nga debatet dhe sondazhet, duke krijuar një perceptim të pavërtetë për rëndësinë e platformës së tyre politike. Ky është një akt i drejtpërdrejtë përjashtues që minon të drejtën për një proces të informuar zgjedhor.
2. Mungesa e aksesit në media – Gjatë zgjedhjeve të 2023, kandidatët gra përfitonin vetëm 14% të kohës mediatike, kundrejt 86% të burrave. Ky disbalancë përbën një nga pengesat më të mëdha për pjesëmarrjen politike të grave, siç evidentojnë edhe studimet dhe monitorimet.
Ky fenomen është një formë dhune sociale dhe politike që dekurajon pjesëmarrjen e grave dhe kufizon aftësinë e tyre për të komunikuar me publikun në mënyrë të barabartë. Grave duhet t’u garantohet i njëjti akses mediatik, dukshmëri dhe legjitimitet si çdo kandidat tjetër.
Task Forca kërkon:
- Mbulim të barabartë dhe të drejtë mediatik për të gjitha subjektet dhe kandidatët zgjedhorë.
- Përfshirje në debatet publike dhe sondazhet e opinionit pa paragjykime gjinore.
- Eliminim të praktikave mediatike që zvogëlojnë liderëshipin e grave.
- Përgjegjësi nga rregullatorët dhe institucionet mediatike për të respektuar parimet demokratike dhe pluralizmin.
- Task Forca kundër Dhunës ndaj Grave në Politikë qëndron kundër çdo forme të anashkalimit mediatik që synon të heshtë, margjinalizojë apo delegjitimojë gratë në vendimmarrje.
U bëjmë thirrje gazetarëve, mediave, organeve rregullatore dhe institucioneve zgjedhore të marrin masa të menjëhershme.
Padukshmëria dhe mbulimi i njëanshëm nuk janë rastësi. Janë akte përjashtimi.
Ne nuk do të qëndrojmë në heshtje kur grave u mohohet e drejta për një garë të ndershme zgjedhore.
Anëtaret e Task Forcës
Barazi në Vendimmarrje
GADC
Research and Papers
