Activities
Prezantimi i Projektit “Forcimi i transparencës dhe llogaridhënies për barazinë gjinore përmes rritjes së mëtejshme të kapacitetit të Rrjetit të Mbikëqyrjes së Buxhetimit Gjinor (GBWN)”
Më 6 shkurt 2023 në Tiranë, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) organizoi takimin lançues për të prezantuar dhe promovuar fazën e dytë të projektit “Forcimi i Transparencës dhe Llogaridhënies për Barazinë Gjinore në Ballkanin Perëndimor dhe Moldavi”. Ky takim iu kushtua aktorëve kombëtarë për të prezantuar projektin dhe për të diskutuar çështje kyçe lidhur me buxhetimin e përgjigjshëm gjinor dhe ndryshimet klimatike, si dhe lidhjet e tij potenciale me buxhetin e Shtetit.
Projekti do të zbatohet për një periudhë 4-vjeçare (2022-2026) në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Serbi, në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, dhe Moldavi. Synimi është të përmirësohet angazhimi publik ndaj veprimeve të përgjigjshme gjinore ndaj klimës dhe të shtohet financimi publik për zbatimin e veprimeve të përgjigjshme gjinore ndaj klimës. Ky projekt mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar.