Activities
Tryezë Diskutimi - “Shërbimet e rehabilitimit dhe riintegrimit, për gratë që i mbijetojnë dhunës, brenda sistemit të mirëqenies sociale në Republikën e Shqipërisë”.
Në datë 2.6.2021 Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC) dhe Rrjeti i Fuqizimit të Grave Shqiptare (AWEN) organizoi Tryezën e rrumbullakët: “Shërbimet e rehabilitimit dhe riintegrimit, për gratë që i mbijetojnë dhunës, brenda sistemit të mirëqenies sociale në Republikën e Shqipërisë.” Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit rajonal: "Institucionalizimi i Cilësisë në Programet e Rehabilitimit dhe Riintegrimit për gratë e vajzat që i mbijetojnë dhunës". Projekti zbatohet në bashkëpunim me rrjetin e organizatave që punojnë kundër dhunës me bazë gjinore në vendet e Ballkanit Perëndimor, të udhëhequr nga Qendra Autonome e Grave, Serbi dhe mbështetet nga Agjencia Austriake për Zhvillim.
Qëllimi i këtij aktiviteti ishte prezantimi i Raportit “Shërbime rehabilitimi dhe riintegrimi brenda sistemit të mirëqenies sociale në Republikën e Shqipërisë për gratë e mbijetuara nga dhuna”. Ky raport synon të përmirësojë legjislacionin dytësor/programet dhe institucionalizimin e shërbimeve cilësore për të mbijetuarat e Dhunës me Bazë Gjinore (DhBGj). Rezultati i projektit si edhe diskutimet e kësaj tryeze kanë për qëllim përmirësimin cilësor të shërbimeve të rehabilitimit dhe integrimit për të mbijetuarat e DhBGj në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor përfshirë Shqipërinë.
Në këtë aktivitet morën pjesë rreth 60 përfaqësues të institucioneve të ndryshme të vendit, përfaqësues të shoqërisë civile, institucioneve lokale, media, donatorë etj. të cilët e ndoqën diskutimin online nëpërmjet platformës ZOOM.
Të pranishëm në tryezën e diskutimit ishin: z. Albert Nikolla, zv. Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS), Dr. Christian Steiner, Ambasadori Austriak në Tiranë; znj. Merita Xhafaj, Drejtore e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Blerta Gazheli – Koordinatore pranë qendrës Lilium, znj. Brikena Puka, Drejtore Ekzekutive e Qendrës Vatra, znj. Ines Leskaj, Drejtore Ekzekutive AWEN. Në këtë aktivitet sollën përvojën nga vendet e tyre, znj. Alexandra Nestorov nga Qendra Autonome e Grave, Serbi dhe znj. Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës.
Klikoni këtu për të ndjekur aktivitetin e plotë.
Klikoni ketu per te lexuar buletinin informativ ne gjuhen shqipe.
Click here to read the English Newsletter
Për më shumë informacione ju lutemi të kontaktoni:
Znj. Mirela Arqimandriti
Drejtore Ekzekutive
Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim”
[email protected]