Konferencë Kombëtare: Pjesëmarrja dhe Përgjegjësia e Shoqërisë Civile në Proceset e Qeverisjes Vendore

Me datë 22.12.2020, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim në partneritet me anëtarët e Rrjetit POP (Përballja e Ofertave Politike), dhe me mbështetjen e Qeverisë Suedeze përmes Olof Palme Center dhe National Endowment for Democracy organizuan Konferencën Kombëtare “Pjesëmarrja dhe Përgjegjësia e Shoqërisë Civile në Proceset e Qeverisjes Vendore”. Ky aktivitet u zhvillua në ambientet e Hotel Rogner si dhe me pjesëmarrjen e 140 personave online nga 9 bashki të vendit.

Gjatë këtij takimi u shkëmbyen përvoja bashkëpunimi mes organizatave anëtare të POP me bashkitë e monitoruara: Tiranë, Durrës, Kukës, Pukë, Vlorë, Fier, Kamëz, Pogradec, Shkodër. U zhvilluan edhe diskutime mbi punën e bashkive në drejtim të përmbushjes së prioriteteve të komunitetit të hartuara në Kontratat Sociale dhe të monitoruara prej dy vitesh.

Mes të tjerash, në këtë konferencë u diskutua gjithashtu:

  • Ndikimi i metodologjisë POP në proceset demokratike vendore.
  • Sfidat e hasura gjatë punës së organizatave anëtare.
  • Shkëmbimi i përvojave ndërmjet bashkive.
  • Procesi i buxhetimit me pjesëmarrje.
  • Angazhimi i kryetarëve të bashkive për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të çuar përpara demokracinë vendore dhe bashkëpunimin me qytetarët dhe OSHC-të.
  • Ndikimi i COVID-19 dhe çështjeve të tjera në jetën vendore.
  • Gjatë viteve 2019 – 2020, nga 101 prioritetet kryesore të Kontratave Sociale në 9 bashki, 58% janë adresuar pjesërisht, 17% janë adresuar plotësisht dhe 25% e këtyre prioriteteve, edhe pse të konsultuara, nuk kanë marrë ende dritën jeshile për adresimin dhe përmbushjen.

Në takim morën pjesë kryetarë dhe nënkryetarë të nëntë bashkive nën monitorimin e rrjetit POP, në vend dhe online. Në sallën Antigonea patëm kënaqësinë të mirëprisnim Znj. Romina Kuko, Zv/Ministre e Brendshme që mbulon pushtetin vendor; Znj. Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë së Shkodrës; Z. Florian Tahiri Nënkryetar i Bashkisë së Durrësit; si dhe në lidhje online Z. Johan Schmid, Drejtor për Evropën Juglindore, Olof Palme International Center.

Disa nga përfundimet e nxjerra në fund të konferencës ishin:

  • POP është një platformë neutrale dhe si e tillë, ky projekt ka qenë i suksesshëm në demokracinë vendore duke angazhuar shoqërinë civile dhe komunitetin;
  • Vetë rrjeti POP është i përbërë nga organizata lokale dhe ka ndihmuar në rritjen e kapaciteteve të këtyre organizatave;
  • POP është i hapur për bashkëpunim me organizata të tjera të shoqërisë civile, qoftë në bashkitë ekzistuese apo në bashki të reja për të ndjekur të njëjtën metodologji;
  • Rrjeti mundëson shkëmbimin e përvojave ndërmjet bashkive të ndryshme, nën monitorimin e Kontratave Sociale, bashki që i kanë nënshkruar ose nuk i kanë nënshkruar ato;
  • POP ka kontribuar që komuniteti të informohet se pjesëmarrja e tij publike është një domosdoshmëri në procesin e vendimmarrjes së qeverisjes vendore;
  • POP ka një partner shumë të rëndësishëm që është komuniteti i këtyre bashkive dhe rrjeti shërben si përcjellës zëri dhe urë lidhëse mes tyre dhe përfaqësuesve të pushtetit vendor.
  • Janë nënshkruar 6 kontrata, presim të lidhen edhe 3 të tjera me angazhimin e bashkisë Shkodër, Kukës dhe Pukë deri në fillim të 2021

GADC
Research and Papers

Follow the link to read research and paper publications through the years.

GADC
Reports and Articles

Follow the link to read reports and articles through the years.

Donors

Full list