Forumi i hapur rajonal “Statusi i Punësimit të Vajzave e Grave në Shqipëri e Kosovë”

Në datat 14 – 15  tetor 2020, Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” (GADC) dhe “Demokraci për Zhvillim” (D4D) zhvilluan Forumin e Hapur Rajonal 2 ditor  "Statusi i Punësimit të Grave dhe Vajzave në Shqipëri dhe Kosovë, me praktikat më të mira nga rajoni". Ky forum u organizua në kuadër të Projektit rajonal “Rritja e qasjes së grave në punësim” i cili mbështetet nga Ambasada Norvegjeze në Prishtinë.

Fuqizimi ekonomik i grave përmes programeve të duhura arsimore, trajnimit të vazhdueshëm, punësimit dhe sipërmarrjes është theksuar fuqimisht në Objektivat e Qëndrueshme të Zhvillimit 5 dhe 8. Po ashtu, barazia gjinore dhe punësimi janë theksuar qartë në Planin e Veprimit Gjinor të BE-së si dhe në Objektivën 13: Qasje e barabartë për vajzat dhe gratë në të gjitha nivelet e arsimit cilësor dhe arsimit dhe aftësimit profesional pa diskriminim në Objektivën 14: Qasje në punë të denjë për gratë e të gjitha moshave; dhe në Objektivën 15: Qasje e barabartë e grave në shërbimet financiare, burimet prodhuese duke përfshirë tokën, tregtinë dhe sipërmarrjen. Duke u nisur nga këto politika ndërkombëtare dhe nga ato kombëtare në Shqipëri dhe Kosovë ky forum rajonal ka për qëllim ndarjen e informacionit në lidhje me statusin e vajzave e grave në tregun e punës dhe rekomandime për përmirësimin e politikave dhe veprimeve kombëtare dhe rajonale.

Gjatë këtyre dy ditëve u diskutua mundësia e shkëmbimit të informacioneve dhe rekomandimeve lidhur me politikat e punësimit në Shqipëri, Kosovë e rajon si dhe inicimi i strategjive dhe veprime avokuese në nivel rajonal, të cilat kontribuojnë në rritjen e punësimit të grave. Një fokus të veçantë kishte edhe situata e punësimit të grave në të dy vendet gjatë pandemisë që shkaktoi Covid-19.

Në këtë forum morën pjesë përfaqësues të institucioneve kryesore  nga Kosova dhe Shqipëria, organizata të shoqërisë civile të rajonit dhe Shqipërisë si edhe individë që operojnë për të drejtat e punësimit. Forumi  u përshëndet nga Znj. Dajna Sorensen, Zv.Ministre e Financave dhe Ekonomisë, Qeveria e Shqipërisë; Znj. Burbuqe Bakija – Deva, Zëvendës Ministre e Ekonomisë dhe Ambientit, Qeveria e Kosovës; Znj. Jenny Stenberg Sørvold, Zëvendës Ambasadorja, Ambasada Mbretërore Norvegjeze, Prishtinë.

Temat kryesore që u diskutuan nga folësit dhe u diskutuan me pjesëmarrësit kishin të bënin me:

Punësimi i grave Shqiptare, sfida dhe zgjidhje
Në përputhje me standardet ndërkombëtare, e drejta për punësim sanksionohet në dispozitat e Kushtetutës së Shqipërisë dhe Kushtetutës së Kosovës. Sipas të dy kushtetutave shtetet përkatëse duhet të garantojnë të drejtën për punë për çdo person, pavarësisht gjinisë, racës, etnisë, gjuhës, përkatësisë së partisë politike, fesë etj. Prandaj, e drejta për punë përfshinë të drejtën për të zgjedhur profesionin, vendin e punës, si dhe sistemin e kualifikimit profesional që synon fitimin e një mjeti jetese me punë të ligjshme. Në këtë panel do të diskutohet se si zbatohet kjo e drejtë kushtetuese në Shqipëri dhe Kosovë, dhe cila është shkalla e punësimit dhe papunësia e grave e vajzave në të dy vendet.
Kjo temë u trajtua nga Znj. Elsa Dhuli, Drejtore e komanduar INSTAT; Z. Avni Kastrati, Drejtor i Departamentit të Statistikave Sociale, Agjencia e Statistikave të Kosovës; Znj. Plejada Gugashi, Olof Palme International Centre; Znj. Juliana Hoxha, Partners Albania; Znj. Valëza Zogjani, Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D)

Diskriminimi në vendin e punës dhe mbrojtja 
Diskriminimi me bazë gjinore mund të ndikojë si tek gratë ashtu edhe burrat. Megjithatë, gratë kanë më tepër gjasa të bien pre e fenomenit.  Ulja e papunësisë dhe rritja e pjesëmarrjes në forcën e punës është prioritet i Bashkimit Evropian, përfaqësuesve të qeverive dhe aktorëve të shoqërisë civile. Disa hulumtime sugjerojnë se diskriminimi ka ndikuar në mënyrë të pabarabartë në pjesëmarrjen e grave në tregun e punës. Po ashtu shihet se megjithëse të dy vendet kanë legjislacion të konsoliduar në lidhje me diskriminimin megjithatë shumë aktorë të rëndësishëm kanë njohuri të pakta. Temë e trajtuar nga Znj. Edona Hajrullahu, Zëvendës Avokate e Popullit, Kosovë; Z. Robert Gajda, Komisioneri Anti Diskriminim, Shqipëri; Znj. Reyes Charles, Përfaqësia e Bashkimit Evropian në Kosovë, Znj Arta Mandro, Eksperte dhe Pedagoge në Shkollën e Magjistraturës; Znj. Mersiha Jaskic, Qendra për Promovimin e Shoqërisë Civile (ÇSP), Bosnje dhe Hercegovina dhe Znj. Ines Leskaj nga AWEN

Zhvillimi i aftësive profesionale për gratë dhe orientimi i tyre në tregun e punës
Në Shqipëri dhe Kosovë ofrohet arsim dhe aftësim profesional, por pothuajse të gjitha institucionet që e ofrojnë janë të vendosura në zonat urbane. Nga hulumtimet në të dy vendet arsimi profesional ende nuk merret parasysh nga shumë studentë. Shkollat ​​profesionale zakonisht regjistrojnë studentë me nota mesatare shumë të ulëta ose ata që nuk arrijnë të kalojnë vitin e parë të gjimnazit. Gratë dhe vajzat e kanë të vështirë pjesëmarrjen në arsimin profesional. Temë e trajtuar nga Z. Drin Haraçia, Drejtor i Përgjithshëm, Agjencia e Punësimit, Kosovë; Znj. Iris Luarasi, Linja e keshillimit per gra e Vajza, Shqipëri; Znj. Ilirjana Jaka – Gashi,  Gratë për Gratë - Kosovë (KW4W); Znj. Shpresa Agushi - RROGRAEK - Kosovë

Mbrojtja dhe përfshirja sociale
Mbrojtja sociale kontribuon në sigurinë themelore që parandalon njerëzit të bien në varfëri ekstreme në situata të cënueshme dhe ndihmon në menaxhimin më të mirë të rreziqeve. Mbrojtja sociale përfshinë masa të tilla si sigurimet shoqërore, politika të cilat sigurojnë standarde minimale të punës, sigurimin e papunësisë, përfitimet e fëmijëve dhe familjes përfshirë mbrojtjen e lehonisë dhe lejen e babait, përfitimet nga dëmtimi në punë, përfitimet nga sëmundjet, përfitimet e aftësisë së kufizuar, mbrojtjen e shëndetit, pleqërinë etj. Sistemet gjithëpërfshirëse të mbrojtjes sociale adresojnë çështjet e mësipërme me një larmi ndërhyrjesh. Objektivi i Zhvillimit të Qëndrueshëm 1 synon t’i japë fund varfërisë në të gjitha format e saj e kudo. Disa nga synimet e tij përfshijnë: Krijimin e kornizave të shëndosha të politikave në nivelet kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, bazuar në strategjitë e zhvillimit pro-të varfërve dhe me ndjeshmëri gjinore, mbështetje në investimet e përshpejtuara për çrrënjosjen e varfërisë; Zbatimin e sistemeve dhe masave të përshtatshme të mbrojtjes shoqërore për të gjithë, në mënyrë që deri në vitin 2030 të arrihet mbulim i konsiderueshëm i të varfërve. Kjo temë u trajtua nga: Znj. Merita Xhafaj, Drejtoreshë e Përgjithshme, Drejtoria e Përgjithshme e Politikave dhe Zhvillimit të Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë dhe Punës Sociale, Shqipëri; Znj. Enkelejda Bregu, Menaxhere EU Delagation to Albania; Znj. Merita Limani, Zyrtare e Lartë e Projektit, Zyra e Këshillit të Evropës në Prishtinë; Znj. Ada Shima, Programme coordinator, UNDP Albania; Z. Kristijan Trajkovski, Qendra për Hulumtim dhe Politikëberje, Maqedoni e Veriut; Znj. Bojana Tamindžija, Qendra për Politikat e Emancipimit, Serbi;  Z. Bledi Taho, Institute of Romani Culture in Albania, Romanipe.

Gratë dhe migrimi
Axhenda 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm ka njohur migracionin si një përparësi të rëndësishme globale, e cila, nëse qeveriset si duhet, mund të sjellë përfitime pozitive për migrantë/et dhe familjet e tyre, si nga këndvështrimi ekonomik, social, politik e kulturor. Migrimi është një çështje ndërsektoriale, e rëndësishme për të gjitha Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ). 10 nga 17 synime përmbajnë objektiva dhe tregues që janë të rëndësishëm për migracionin dhe lëvizshmërinë. Gratë janë aktore të rëndësishme në kontekstin e migracionit global por edhe rajonal dhe të brendshëm. Efektet dhe proceset e migrimit janë të ndryshme për gratë dhe burrat, ndaj është thelbësore që politikat mbi migrimin të përfshijnë dhe reflektojnë këto specifika. Kjo temë u trajtua nga Znj. Ermira Danaj, Shqipëri; Znj. Ardiana Gashi, Kosovë; Znj. Elisabeta Bajrami Ollogu, Maqedoni e Veriut.

Pas këtij forumi, organizatorët do të përgatisin një Raport përmbledhës me gjetje dhe rekomandime nga rajoni sa i përket temave të trajtuara.

GADC
Research and Papers

Follow the link to read research and paper publications through the years.

GADC
Reports and Articles

Follow the link to read reports and articles through the years.

Donors

Full list