Monitorimi i Mekanizmit të Koordinuar të Referimit për dhunën me bazë gjinore

Nevojitet një Përgjigje e Organizuar dhe e Përgjegjshme dhe Ligje të Forta për të Luftuar Dhunën në Familje

2019 ishte viti i tretë që Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim monitoroi funksionimin e mekanizmave të referimit në 11 bashki të Shqipërisë, në kuadër të projektit: “Rritja e kapaciteteve të OSHC-ve për të monitoruar zbatimin e veprimtarive të lidhura me reduktimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Barazinë Gjinore 2016-2020 (SKBGj 2016-2020)”, mbështetur nga UN Women Shqipëri, përmes Programit Rajonal “T’i Japim Fund Dhunës ndaj Grave: Zbatojmë Normat, Ndryshojme Mendësitë”. Fokusi kryesor është mbajtja përgjegjës e anëtarëve të mekanizmave të referimit dhe monitorimi i hendeqeve në burimet teknike dhe financiare të këtyre grupeve të profesionistëve përgjegjës për përgjigjen e koordinuar kundër dhunës në familje në Shqipëri. Ky projekt zbatohet në bashkëpunim me 11 OSHC lokale të të drejtave të grave, disa prej tyre pjesë e Rrjetit të Fuqizimit të Gruas në Shqipëri. Kemi përgatitur raporte vjetore të monitorimit për secilën bashki, si dhe infografika që demonstrojnë gjetjet dhe rekomandimet. Gjithashtu, gjetjet dhe rekomandimet janë përdorur për aktivitete lobimi dhe advokacie me strukturat qeveritare dhe parlamentare, si dhe për ndërgjegjësimin e vajzave dhe grave që t’i thyejnë zinxhirët e dhunës dhe të raportojnë. GADC po vazhdon të monitorojë përgjigjen e mekanizmit të referimit kundër dhunës në familje gjatë pandemisë së COVID-19, e cila i ka burgosur vajzat dhe gratë në shtëpitë e tyre së bashku me dhunuesit, të izoluara nga njerëzit dhe burimet që mund t’i ndihmojnë. Në Shqipëri numri i grave që vuajnë nga dhuna në familje është relativisht i lartë, pasi 1 nga 2 ose 52.9% e grave të moshës 18-74 kanë përjetuar ‘ndonjëherë’ një ose më shumë nga pesë llojet e dhunës gjatë jetës së tyre. Në maj 2020, GADC do të prodhojë një raport monitorues të përgjigjes së koordinuar nga mekanizmat e referimit lidhur me situatën e dhunës në familje gjatë izolimit të detyruar për shkak të COVID-19.  

Projekti "Rritja e kapaciteteve të OSHC-ve për të monitoruar zbatimin e veprimtarive të lidhura me reduktimin e dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje, të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Barazinë Gjinore 2016-2020 (SKBGj 2016-2020)" është zbatuar për tre vite rresht nga 2017 në 2019. Në Shqipëri projekti është zbatuar nga Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) dhe Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN) brenda programit rajonal “T’i Japim Fund Dhunës ndaj Grave: Zbatojmë Normat, Ndryshojmë Mendësitë”, i zbatuar nga UN Ëomen me mbështetjen financiare të Komisionit Evropian. 6 ishin Mekanizmat e Koordinuar të Referimit (MKR) të përfshirë në monitorim nga GADC dhe organizata të tjera lokale pjesë e rrejtit AWEN: Bashkitë Tiranë, Shkodër, Korçë, Elbasan, Vlorë dhe Durrës.

Procesi i monitorimit në nivel qendror u monitorua nga GADC dhe AWEN përmes mbledhjes së të dhënave zyrtare lidhur me zbatimin e veprimtarive të Planit të Veprimit 2016-2020 nga ana e të gjitha institucioneve përgjegjëse, ndërsa veprimtaritë në nivel vendor u monitoruan nga organizatat lokale.

Ky proces monitorimi 3-vjeçar pati dy arritje kryesore:

• Organizatat e përfshira tashmë i kanë kapacitetet e nevojshme për të monitoruar zbatimin e Objektivit të 3-të të Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit për Barazinë Gjinore 2016-2020;

• Organizatat zhvilluan procese advokimi për këtë strategji, duke përdorur gjetjet dhe rekomandimet e proceseve të monitorimit ndër vite.

Të dhënat e mbledhura nga monitorimet u analizuan dhe, bazuar në analizën respektive për secilën nga gjashtë bashkitë, u hartuan raporte vjetore me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse. Këto raporte u prezantohen çdo vit bashkive në tryeza të rrumbullakëta, ndjekur nga takime advokuese me organet vendimmarrëse.

Në fillim të monitorimit, sipas rezultateve të 2017-ës, shumë nga bashkitë kishin probleme me Mekanizmat e tyre të Referimit duke përfshirë mungesë koordinimi midis anëtarëve, pjesëmarrje të ulët në mbledhjet e Ekipeve Teknike Ndërdisiplinare (ETN) nga ana e shumë prej përfaqësuesve të institucioneve pjesë e mekanizmit, numër të ulët të rasteve të dhunës të trajtuara nga mekanizmi by etj. Por që pas raportit të parë të monitorimit të vitit të parë dhe takimeve të shpeshta, qasja ndaj ekipit teknik dhe koordinatorit vendor nga ana e shumë prej anëtarëve të mekanizmit u përmirësua duke patur një rritje vit pas viti të mbledhjeve të ETN-së, rasteve të trajtuara apo të kërkesave për trajnime të mëtejshme të stafeve përkatëse për të përmirësuar punën.

Tre çështje thelbësore për një funksionim më të mirë të Mekanizmave të Koordinuar të Referimit vazhdojnë të jenë problematike.

  • Bashkitë në përgjithësi dhe bashkitë nën monitorim në veçanti nuk kanë buxhete të caktuara për ndërgjegjësimin e komunitetit për të mos pranuar dhunën me bazë gjinore dhe dhunën në familje;
  • Shumë bashki nuk kanë ende streha emergjence;
  • Ndërrime të shpeshta të koordinatorëve vendorë;
  • Mbledhje shumë të rralla të Komiteteve Drejtuese të këtyre mekanizmave.
  • Mungesë e të dhënave gjinore në shumë statistika, sidomos nga gjykatat.

GADC vazhdon punën për të ofruar ndihmën dhe ekspertizën e vet në përmirësimin e funksionimit të mekanizmave të referimit. Kanë qenë të shumta trajnimet që ka ofruar organizata jo vetëm për koordinatorët vendorë të këtyre 6 bashkive, por edhe për bashki të tjera.

GADC
Research and Papers

Follow the link to read research and paper publications through the years.

GADC
Reports and Articles

Follow the link to read reports and articles through the years.

Donors

Full list