T’i Japim Fund Dhunës me Bazë Gjinore


Çfarë është dhuna me bazë gjinore?

Dhuna me bazë gjinore është një fenomen me rrënjë të thella në pabarazinë gjinore dhe mbetet një nga shkeljet më të rënda të të drejtave të njeriut në të gjitha shoqëritë. Dhuna me bazë gjinore është dhunë kundër një personi për shkak të gjinisë së tij/saj. Si gratë, ashtu edhe burrat, përjetojnë dhunë me bazë gjinore, por shumica e viktimave janë gra dhe vajza.

Dhuna me bazë gjinore dhe dhuna ndaj grave janë terma që shpesh përdoren në vend të njëri-tjetrit pasi pranohet gjerësisht se pjesa më e madhe e dhunës me bazë gjinore kryhet kundër grave dhe vajzave, nga burrat. Megjithatë, përdorimi i aspektit ‘me bazë gjinore’ është i rëndësishëm sepse vë në dukje faktin që shumë forma të dhunës ndaj grave i kanë rrënjët në pabarazitë gjinore ndërmjet grave dhe burrave.

“Dhuna ndaj grave” kuptohet si ‘çdo akt dhune me bazë gjinore që rezulton ose ka mundësi të rezultojë në dëme apo vuajtje fizike, seksuale ose psikologjike të grave, duke përfshirë kërcënimin për akte të tilla, kanosjen ose mohimin e paarsyeshëm të lirisë, qoftë në jetën publike apo atë private’, sipas Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave (1993) Neni 1.

Dhuna në Familje

Konventa e Stambollit (Këshilli i Evropës, Konventa për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje), si standardi për legjislacionin ndërkombëtar mbi adresimin e dhunës me bazë gjinore, e përcakton dhunën me bazë gjinore dhe dhunën ndaj grave si një akt me natyrë gjinore i cili është ‘një shkelje e të drejtave të njeriut dhe një formë diskriminimi ndaj grave’. Konventa e Stambollit thekson se aktet e dhunës me bazë gjinore rezultojnë në ‘dëme ose vuajtje fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike të grave, duke përfshirë kërcënimin për akte të tilla, kanosjen ose mohimin e paarsyeshëm të lirisë, qoftë në jetën publike apo atë private.’

Dhuna në familje nënkupton çdo akt dhune fizike, seksuale, psikologjike ose ekonomike që ndodh brenda familjes apo njësisë shtëpiake, ose ndërmjet bashkëshortëve apo partnerëve të mëparshëm apo aktualë, pavarësisht nëse autori i dhunës ndan apo ka ndarë të njëjtën banesë me viktimën’ (p8, Konventa e Stambollit 2011)

Dhuna nga Partneri Intim

Dhunë nga partneri intim quhet çdo sjellje brenda një marrëdhënieje intime që shkakton dëm fizik, psikologjik ose seksual tek personat në marrëdhënie. Legjislacioni shqiptar e ka njohur së fundmi konceptin e dhunës në marrëdhënie intime dhe e ka zgjeruar gamën e përfituesve të mekanizmit të parashikuar të parandalimit dhe mbrojtjes duke futur për herë të parë konceptin e viktimës së dhunës familjare në marrëdhënie intime. Futja e këtij koncepti do t’ua mundësojë agjencive përkatëse të zbatimit të ligjit që t’u përgjigjen rasteve kur viktimat nuk janë të martuara zyrtarisht.

IPV (dhuna nga partneri intim – “Intimate Partner Violence”) mund të marrë shumë forma dhe shembujt përfshijnë:

  • Akte të dhunës fizike
  • Dhunë seksuale dhe forma të tjera të kanosjes seksuale
  • Dhunë emocionale dhe/ose psikologjike
  • Sjellje kontrolluese; kufizimi i qasjes në burime financiare, punësim, arsimim ose kujdes mjekësor.

Dhuna në Familje ose Dhuna nga Partneri Intim (IPV) është një fenomen i përhapur në Shqipëri dhe është përgjegjësi e shtetit dhe individëve që të ndërmarrin veprimet e duhura për ta ndaluar dhe parandaluar atë. GADC e ka adresuar problemin e IPV që në krijimin e saj përmes projekteve që synojnë viktimat, dhunuesit, opinionin publik dhe institucionet. 

Puna e GADC-së për çështjen e dhunës ndaj grave është në linjë me rekomandimet e OKB-së dhe Komisionit të BE-së për Shqipërinë dhe aderimin e vendit në BE, të cilat theksojnë se vendi ka nevojë për mekanizma institucionalë për të adresuar dhunën me bazë gjinore dhe duhet të krijojë legjislacion dytësor lidhur me dhunën në familje. GADC është e përkushtuar për t’i çuar përpara këto çështje.

Dhuna me Bazë Gjinore është më e përhapur se ç’duket

Anketa e tretë Kombëtare e bazuar në Popullsinë “Dhuna ndaj Grave” (2019) informon se një në dy (52.9%) gra shqiptare ka përjetuar dhunë gjatë jetës së saj. Ky studim vjen pas anketës së parë dhe të dytë kombëtare (2007, 2013) të cilat ishin të fokusuara vetëm tek dhuna në familje. Anketa e vitit 2018, përveç dhunës në familje nga partneri intim, mbledh për herë të parë të dhëna mbi natyrën dhe prevalencën e formave të tjera të dhunës: dhuna në marrëdhënie, dhuna jo nga partneri, ngacmimi seksual, përndjekja, si dhe sjell gjetje mbi normat sociale të lidhura me dhunën ndaj grave.

65.8% e grave të anketuara kanë përjetuar dhunë brenda marrëdhënies gjatë jetës së tyre, 47% kanë përjetuar dhunë në familje nga partneri intim; 1 në 5 gra kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale dhe 18.2% e grave kanë përjetuar dhunë jo nga partneri.

Anketa zbulon se 18.1% e grave kanë përjetuar ngacmim seksual gjatë jetës së tyre dhe 12.6% e grave kanë përjetuar përndjekjen.

Anketa sjell të dhëna mbi pranimin e dhunës ndaj grave tek burrat dhe gratë në Shqipëri. Gjetjet tregojnë se 1 në 2 gra besojnë se dhuna midis burrit dhe gruas është një çështje private; 46.5% e grave besojnë se një grua duhet ta tolerojë deri diku dhunën për të mbajtur të bashkuar familjen; 26.1% e grave besojnë se një grua duhet të ketë turp t’i tregojë dikujt tjetër që është përdhunuar. Të dhënat e anketës shërbejnë për të monitoruar progresin mbi treguesit për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm 5 dhe 16 që lidhen me dhunën ndaj grave dhe vajzave.

Të gjitha gratë e anketuara kanë thënë se dhuna në familje, dhuna dhe ngacmimi seksual, si dhe përndjekja janë shqetësime madhore për shoqërinë shqiptare. 83% besojnë se është thelbësore që vendi të ketë ligje që i mbrojnë gratë dhe vajzat nga dhuna në martesë/familje dhe 81.9% besojnë se është e nevojshme të ketë një legjislacion që i mbron ato nga sulmi seksual dhe përdhunimi.

Raportin dhe infografikat mund t’i gjeni duke ndjekur këtë link:

http://www.al.undp.org/content/albania/en/home/library/poverty/national-population-survey--violence-against-women-and-girls-in-.html

VAW_Survey UNDP and INSTAT 2018 PDF DOCUMENT

GADC
Research and Papers

Follow the link to read research and paper publications through the years.

GADC
Reports and Articles

Follow the link to read reports and articles through the years.

Donors

Full list