Activities
Prezantimi i Raportit të Hartëzimit Social LNOB në Bashkinë Klos
Në bashkëpunim me Shoqatën për Autonomi Vendore dhe me mbështetjen e GIZ Albania, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim (GADC) organizoi prezantimin zyrtar të gjetjeve dhe rekomandimeve të raportit të Hartëzimit Social LNOB (Askush të mos mbetet pas) në Bashkinë Klos. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të bashkisë dhe institucioneve vendore, për të nxitur një qasje të bazuar në fakte në hartimin e politikave lokale për personat me aftësi të kufizuara.
Raporti, i hartuar mbi bazën e 232 intervistave me familje të personave me aftësi të kufizuara dhe diskutimeve me grupe interesi në të gjitha njësitë administrative të bashkisë, paraqet për herë të parë një pasqyrë të plotë të gjendjes socio-ekonomike të kësaj kategorie në Klos. Janë identifikuar gjithsej 783 të rritur dhe 75 fëmijë me aftësi të kufizuara, të shpërndarë në zonat urbane dhe rurale, me të dhëna të detajuara sipas gjinisë, moshës dhe llojit të aftësisë së kufizuar.
Gjatë prezantimit u diskutuan në mënyrë të thelluar disa nga boshllëqet dhe sfidat kryesore që prekin personat me aftësi të kufizuara në Klos, përfshirë:
- Mungesa e një qendre ditore ose çdo shërbimi të specializuar për persona me aftësi të kufizuara;
- Mungesa e profesionistëve të kualifikuar, si terapistë të të folurit, fizioterapistë apo psikologë;
- Mungesa e organizatave të shoqërisë civile që ofrojnë mbështetje për këtë grup në territorin e bashkisë;
- Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme dhe transportit publik, çka kufizon lëvizshmërinë dhe aksesin në shërbime;
- Akses i kufizuar në shërbime shëndetësore dhe arsim të përshtatur.
Një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i raportit ishte analiza me perspektivë gjinore, ku u evidentuan vështirësitë që përjetojnë gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara, përfshirë izolimin, dhunën, aksesin më të ulët në arsim dhe punësim. Po ashtu, shumë kujdestare gra raportuan mungesë mbështetjeje institucionale dhe përballje me barrë të rëndë emocionale dhe fizike.
Gjetjet paraporake të këtij procesi janë përdorur si bazë për hartimin e Planit të ri Social të Bashkisë Klos 2024–2027, i cili u miratua nga Këshilli Bashkiak më 30 nëntor 2023. Ky hap dëshmon angazhimin e institucioneve vendore për përdorimin e të dhënave konkrete në ndarjen e buxheteve, planifikimin dhe hartimin e politikave përfshirëse që garantojnë përfshirjen aktive të personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.
GADC
Research and Papers
