Activities
Mbrojtja e të Drejtave të Grave në Tregun e Punës: Takim me Punonjëse të Fasonerive në Shkodër
27.5.2024
Me datë 27 Maj 2024, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim organizoi një takim të veçantë me gratë punonjëse në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në qytetin e Shkodrës. Tema kryesore e takimit ishte "Mbrojtja e të drejtave të grave në tregun e punës."
Në takim u ngriten problematika që hasin gratë punonjëse të sektorit gjatë punës së përditshme si dhe u diskutua për rreziqet dhe të drejtat në punë, duke trajtuar çështje si sëmundjet, dispozitat për gratë shtatëzana, puna e natës, mëmësia, përkujdesja për fëmijët në ngarkim, leja prindërore, orët e punës, puna me turne, koha javore e punës dhe pushimet.
Një aspekt i rëndësishëm i diskutimit ishte pagat e denja. Është koha që t'i japim rëndësi të barabartë pagesës për punën që këto gra kryejnë. Një fokus i veçantë i diskutimit ishte organizimi dhe bashkëpunimi midis grave punonjëse në sektorin fason. Vetëm duke bashkuar zërat tanë dhe duke përdorur argumentet e forta, mund ta ndryshojmë këtë situatë. Le të krijojmë një shoqëri ku të drejtat gjinore respektohen dhe pagat janë të drejta.