Activities
Takim me Gratë Punonjëse në Fasoneri në Qytetin e Tiranës
12.03.2024
Me datë 12 mars 2024, Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim organizoi një takim të veçantë me gratë punonjëse në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në qytetin e Tiranës. Tema kryesore e takimit ishte "Mbrojtja e të drejtave të grave në tregun e punës."
Një aspekt i rëndësishëm i diskutimit ishte pagat e denja. Është koha që t'i japim rëndësi të barabartë pagesës për punën që këto gra kryejnë. Gjatë takimit, u prezantuan në mënyrë të detajuar kontratat e punës për gratë punonjëse në sektorin e fasonerisë, duke përfshirë ato individuale, kolektive, me kohë të caktuar dhe me kohë të papërcaktuar. Diskutimet u përqëndruan në rreziqet dhe të drejtat në punë, duke trajtuar çështje si sëmundjet, dispozitat për gratë shtatëzana, puna e natës, mëmësia, përkujdesja për fëmijët në ngarkim, leja prindërore, orët e punës, puna me turne, koha javore e punës dhe pushimet. Po ashtu, u diskutua për marrëdhëniet e punëdhënësit dhe punëmarrësit në rastet e zgjidhjes së kontratës.
Një fokus i veçantë i diskutimit ishte organizimi dhe bashkëpunimi midis grave punonjëse në sektorin fason. Vetëm duke bashkuar zërat tanë dhe duke përdorur argumentet e forta, mund ta ndryshojmë këtë situatë. Le të krijojmë një shoqëri ku të drejtat gjinore respektohen dhe pagat janë të drejta.