Our Work
GADC fillon fushatën kundër ngacmimeve seksuale në vendin e punës

Njoftim për Media
18 tetor 2021
Sot, me 18 tetor, Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim” fillon fushatën online kundër ngacmimeve seksuale në vendin e punës.
Kjo fushatë organizohet me qëllim informimin e qytetarëve rreth formave të ngacmimit seksual në vendin e punës, ligjeve që dënojnë atë, si dhe shembujve të ngacmimit seksual në vendin e punës të nxjerra nga raporti i GADC-së ”Diskriminimi me bazë gjinore dhe puna në Shqipëri”
Nga gjetjet e hulumtimit të fundit për Diskriminimin me bazë gjinore në punë në Shqipëri, shumica e të anketuarve nuk kishin njohuri nëse ngacmimi seksual në hapësirat e punës dënohet me ligj dhe cilat janë format e ngacmimit seksual.
Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë dënon me burgim deri në pesë (5) vjet çdo person i cili ngacmon seksualisht personin tjetër apo përdor cilëndo formë të sjelljes së padëshiruar verbale, joverbale ose fizike të natyrës seksuale, me qëllim të cenimit të dinjitetit apo që cenon dinjitetin e personit, dhe krijon një mjedis i cili është objektivisht frikësues, armiqësor, degradues ose poshtërues.
Përveç Shqipërisë, e njëjta fushatë do të zhvillohet në pesë vende të tjera të Ballkanit Perëndimor të cilat janë partnere të GADC-së në këtë nismë: Kosovë, Mali i Zi, Maqedoni, Bosnjë dhe Hercegovinë, Serbi dhe pritet të zgjasë 11 ditë (18-30 tetor).
GADC inkurajon të gjithë personat e ngacmuar seksualisht në vendet e tyre të punës që të raportojnë ngacmimin seksual pranë Inspektoriatit të Punës: 042368473; Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi në numrin pa pagesë: 08000 606; Rajonit më të afërt të Policisë ose Policisë së Shtetit: 129 dhe pranë Qendrës “Aleanca Gjinore për Zhvillim” në numrin pa pagesë: 0800 18 18
GADC bën thirrje për përmirësimin e kushteve për pjesëmarrjen e grave në fuqinë punëtore. Gjithashtu, GADC beson në krijimin e ambienteve të punës së denjë dhe një ambient pranues për të gjitha grupet e shoqërisë.
Kjo fushatë realizohet si pjesë e nismës “Luftimi i diskriminimit, përmirësimi i të drejtave të grave në punë”, si dhe mbështetet nga Komisioni Evropian dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze e Bashkëpunimit për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).
GADC
Research and Papers
