Our Work
DEKLARATË - Dita Ndërkombëtare e Punës së Denjë
7 Tetor 2020. 7 Tetori njihet botërisht si “Dita Ndërkombëtare e Punës së Denjë”. Kjo është dita që simbolizon mobilizimin që duhet bërë për përmirësimin e kushteve të punës së punonjësve, për përmirësimin e pagave, mundësimin e organizimit sindikal. Mbi të gjitha kjo është dita që thërret për respektimin e integritetit fizik dhe mendor të punëtorëve gjatë ushtrimit të punës së tyre, sidomos në kushtet e pandemisë COVID-19.
Duke pasur parasysh realitetin e punës së punonjëseve të sektorit të tekstileve dhe këpucëve, me problematika të shumta përsa i përket punës së denjë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Maqedoninë e Veriut, tre organizata, prej kohësh të përkushtuara në mbrojtjen e të drejtave të punëtoreve të këtij sektori vijnë me një deklaratë të përbashkët.
Pas efekteve si pasojë e pandemisë COVID-19, puna e denjë duhet të jetë në qendër të veprimeve të qeverive të të dy vendeve, për fuqizimin e punonjësve. Punësimi produktiv dhe puna e denjë janë elementet kryesore për të arritur zhvillimin, integrimin dhe uljen e varfërisë.
Në këtë kuadër, ne i bëjmë thirrje qeverive të dy vendeve që të sigurohen që të zbatohet axhenda e ILO-s për punën e denjë dhe të marrin masa sa më parë për përmbushjen e katër shtyllave kryesore të kësaj axhende, duke mundësuar kështu:
• Përmirësimin e kushteve të punës;
• Krijimin e vendeve të reja të punës;
• Rritjen e pagave të sektorit;
• Rritjen e kontrollit shtetëror mbi normat ditore të punës, të pa standardizuara;
• Zhdukjen e shfrytëzimit dhe abuzimit fizik dhe psikologjik.
• Mbrojtjen Sociale të punëtorëve dhe familjeve të tyre;
• Fuqizimin e dialogut social me pjesëmarrje në vendime tw pwrfaqwsuesve tw sektorit.
Gjithashtu u bëjmë thirrje punëdhënësve të sektorit të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve që:
• Të krijojnë siguri në vendin e punës: makineria, pajisjet dhe proceset nën kontrollin e punëtorëve të jenë të sigurta dhe pa rrezik për shëndetin dhe se substancat kimike, fizike dhe biologjike dhe agjentët nën kontrollin e tyre të jenë pa rrezik për shëndetin duke marrë masat e duhura të mbrojtjes në zbatim të standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare të sigurisë dhe shëndetit në punë.;
• Punëdhënësit duhet të sigurojnë, (kur është e nevojshme), veshje të përshtatshme mbrojtëse dhe pajisje mbrojtëse për të parandaluar, për aq sa është praktikisht e arsyeshme, rrezikun e aksidenteve ose të efekteve të dëmshme në shëndet;
• Punëdhënësit duhet të sigurojnë në mënyrë periodike masa personale mbrojtëse sipas udhëzimeve dhe protokolleve të Organizatës Botërore të Shëndetit dhe ILO.
• Punëdhësit duhet të krijojnë mundësinë e vendeve lehtësisht të aksesueshme për gratë ku ato të kurojnë higjenën personale dhe të lajnë në mënyrë të shpeshtë duart.
• Masat personale mbrojtëse si edhe veshje dhe pajisje të tilla mbrojtëse duhet të sigurohen, pa asnjë kosto për punëtorin.
• Mos të mungojë në ambjentet e fabrikës mjeku, i cili sot më shumë se kurrë, në këtë kohë pandemie duhet të monitorojë punëtorët, kushtet higjenike apo masat mbrojtëse.
• Punëdhënësit gjithashtu duhet të sigurojnë që punëtorët dhe përfaqësuesit e tyre të konsultohen, informohen dhe trajnohen për çështje të sigurisë e shëndetit në punë sipas proçeseve të punës që kryejnë.
U bëjmë thirrje sindikatave të sektorit të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve:
• Të intensifikojnë përpjekjet e tyre për të mbrojtur gratë punonjëse nga shfrytëzimi në vendin e punës permes aktivitetit real sindikal dhe kontratave kolektive efektive dhe të dakortësuara në përmbajtje me vetë punëmarrësit.
• Të synohet më shumë bashkëveprim dhe solidaritet mes sindikatave të sektorit dhe koordinim më i madh i bashkëpunimit edhe me organizatat e shoqërisë civile që veprojnë në këtë sektor.
Qendra “Aleanca Gjinore për Zhvillim
Glasen Tekstiles
Qendra për të Drejtat në Punë
GADC
Research and Papers
